Jobi

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42


Kapitull 38

1 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
2 "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim?
3 Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
4 Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.
5 Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?
6 Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,
7 kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?
8 Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,
9 kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?
10 Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,
11 dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?
12 Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit,
13 që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij?
14 Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje.
15 Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.
16 A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?
17 Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?
18 A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!
19 Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,
20 që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?
21 Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.
22 Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit
23 që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?
24 Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?
25 Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,
26 që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,
27 për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?
28 Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?
29 Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?
30 Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.
31 A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?
32 A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?
33 A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë?
34 A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm?
35 Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?".
36 Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?
37 Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit
38 kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?
39 A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit,
40 kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre?
41 Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?