Kapitull 19
1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2 "Deri kur do të hidhëroni shpirtin tim dhe do të më mundoni me ligjëratat tuaja?
3 U bënë dhjetë herë që më përqeshni dhe nuk keni turp që më fyeni.
4 Edhe sikur të ishte e vërtetë që kam gabuar, gabimi im më përket vetëm mua.
5 Por në rast se doni pikërisht të bëheni kryelartë me mua duke më qortuar për objektin e turpit tim,
6 mësoni atëherë që Perëndia më ka trajtuar në mënyrë të padrejtë dhe më ka zënë në rrjetat e tij.
7 Ja, unë bërtas: "Dhunë!", por nuk kam asnjë përgjigje; bërtas për ndihmë, por drejtësi nuk ka!
8 Më ka prerë rrugën dhe kështu nuk mund të kaloj; përhapi terrin në rrugën time.
9 Më ka zhveshur nga nderi im dhe më ka hequr nga koka kurorën.
10 Më ka shkatërruar nga të gjitha anët dhe unë po shkoj; e ka shkulur si një dru shpresën time.
11 Zemërimi i tij kundër meje është, ndezur dhe më konsideron si armik të tij.
12 Ushtarët e tij kanë ardhur të gjithë së bashku dhe kanë ndërtuar rrugën e tyre kundër meje; kanë ngritur kampin e tyre rreth çadrës sime.
13 Ai ka larguar nga unë vëllezërit e mi, dhe të njohurit e mi janë bërë plotësisht të huaj me mua.
14 Farefisi im më ka braktisur dhe miqtë e mi të ngushtë më kanë harruar.
15 Shërbëtorët dhe shërbëtoret e mi më trajtojnë si një njeri të huaj, në sytë e tyre jam një i huaj.
16 Thërras shërbëtorin tim, por ai nuk përgjigjet; duhet t'i lutem me gojën time.
17 Fryma ime është e neveritshme për gruan time, dhe jam i neveritshëm edhe për fëmijët e barkut tim.
18 Edhe fëmijët më përçmojnë; në rast se provoj të ngrihem, flasin kundër meje.
19 Tërë miqtë më të ngushtë kanë lemeri prej meje, edhe ata që doja janë ngritur kundër meje.
20 Kockat e mia i ngjiten lëkurës sime dhe mishit tim dhe nuk më ka mbetur veç se lëkura e dhëmbëve.
21 Mëshiromëni, mëshiromëni, të paktën ju, miqtë e mi, sepse dora e Perëndisë më ka goditur.
22 Pse më persekutoni si bën Perëndia dhe nuk ngopeni kurrë me mishin tim?
23 Ah sikur fjalët e mia të ishin të shkruara; ah sikur të kishin zënë vend në një libër;
24 sikur të ishin të gdhendura përjetë mbi një shkëmb me një stil prej hekuri dhe me plumb!
25 Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë.
26 Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë.
27 Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra.
28 Në rast se thoni: "Pse e persekutojmë?"; kur rrënja e këtyre të këqijave ndodhet tek unë,
29 ju druani për veten tuaj shpatën, sepse zemërimi sjell ndëshkimin e shpatës, me qëllim që të dini që ekziston një gjykim".