Kapitull 32
1 Atëherë këta tre njerëz nuk iu përgjigjën më Jobit, sepse ai e ndjente veten të drejtë.
2 Por zemërimi i Elihut, birit të Barakelit, Buzitit, nga fisi i Ramit, u ndez kundër Jobit; zemërimi i tij u ndez, sepse ai e quante veten e tij të drejtë më tepër se Perëndia.
3 Zemërimi i tij u ndez edhe kundër tre miqve të tij, sepse nuk kishin gjetur përgjigjen e drejtë, megjithëse e dënonin Jobin.
4 Elihu kishte pritur për t'i folur Jobit, sepse ata ishin më të moshuar se ai.
5 Por kur Elihu u bind që në gojën e këtyre tre njerëzve nuk kishte më përgjigje, ai u zemërua.
6 Kështu Elihu, bir i Barakelit, Buzitit, mori fjalën dhe tha: "Unë jam akoma i ri me moshë dhe ju jeni pleq; prandaj ngurrova dhe pata frikë t'ju parashtroj mendimin tim.
7 Thoja: "Do të flasë mosha dhe numri i madh i viteve do t'u mësojë diturinë".
8 Por te njeriu ka një frymë, dhe është fryma i të Plotfuqishmit që i jep zgjuarsinë.
9 Nuk janë detyrimisht të mëdhenjtë që kanë diturinë ose pleqtë që kuptojnë drejtësinë.
10 Prandaj them: Dëgjomëni, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
11 Ja, prita fjalimet tuaja, dëgjova argumentat tuaja, ndërsa kërkonit të thonit diçka.
12 Ju kam ndjekur me vëmendje, dhe ja, asnjëri prej jush nuk e bindi Jobin ose nuk iu përgjigj fjalëve të tij.
13 Mos thoni, pra: "Kemi gjetur diturinë; vetëm Perëndia mund ta mundë plotësisht, por jo njeriu!".
14 Ai nuk i ka drejtuar fjalimet e tij kundër meje, prandaj nuk do t'i përgjigjem me fjalët tuaja.
15 Janë hutuar, nuk përgjigjen më, nuk gjejnë fjalë.
16 Duhet të pres akoma, sepse nuk flasin më, rrinë aty pa dhënë asnjë përgjigje.
17 Do të paraqes edhe unë pjesën time, do të shtroj edhe unë mendimin tim.
18 Sepse kam plot fjalë dhe fryma përbrenda më detyron.
19 Ja, gjiri im është si vera që nuk ka një shfrim, si shakujt e rinj, gati për të plasur.
20 Do të flas, pra, për të pasur një lehtësim të vogël, do të hap buzët dhe do të përgjigjem.
21 Tani më lejoni të flas pa treguar anësi me asnjë dhe pa i bërë lajka kurrkujt;
22 sepse unë nuk di të bëj lajka, përndryshe Krijuesi im do të më hiqte shpejt nga mesi".