Kapitull 21
1 Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:
2 "Dëgjoni me kujdes atë që kam për të thënë, dhe kjo të jetë kënaqësia që më jepni.
3 Kini durim me mua dhe më lini të flas dhe, kur të kem folur, edhe talluni me mua.
4 A ankohem vallë për një njeri? Dhe pse fryma ime nuk duhet të trishtohet?
5 Shikomëni dhe habituni, dhe vini dorën mbi gojë.
6 Kur e mendoj, më zë frika dhe mishi im fillon të dridhet.
7 Pse, pra, jetojnë të pabesët dhe pse plaken dhe shtojnë pasuritë e tyre?
8 Pasardhësit e tyre fuqizohen bashkë me ta nën vështrimet e tyre dhe fëmijët e tyre lulëzojnë në sytë e tyre.
9 Shtëpitë e tyre janë në siguri, pa tmerre, dhe fshikulli i Perëndisë nuk rëndon mbi ta.
10 Demi i tyre mbars dhe nuk gabon, lopa e tyre pjell pa dështuar.
11 Dërgojnë jashtë si një kope të vegjlit e tyre dhe bijtë e tyre hedhin valle.
12 Këndojnë në tingujt e timpanit dhe të qestes dhe kënaqen me zërin e flautit.
13 I kalojnë në mirëqënie ditët e tyre, pastaj një çast zbresin në Sheol.
14 Megjithatë i thonin Perëndisë: "Largohu nga ne, sepse nuk dëshirojmë aspak të njohim rrugët e tua.
15 Kush është i Plotfuqishmi të cilit duhet t'i shërbejmë? Ç'përfitojmë veç kësaj kur e lusim?".
16 Ja, begatia e tyre a nuk është vallë në duart e tyre? Këshilla e të pabesëve është mjaft larg meje.
17 Sa herë shuhet llamba e të këqijve ose shkatërrimi bie mbi ta, vuajtjet që Perëndia cakton në zemërimin e tij?
18 A janë ata si kashta përpara erës ose si byku që e merr me vete stuhia?
19 Ju thoni se Perëndia ruan dënimin e paudhësisë së dikujt për bijtë e tij. Ta shpaguajë Perëndia, që ai të mund ta kuptojë.
20 Të shohë me sytë e tij shkatërrimin e vet dhe të pijë nga zemërimi i të Plotfuqishmit!
21 Çfarë i hyn në punë në fakt shtëpia e tij mbas vdekjes, kur numri i muajve të tij është mbushur?
22 A mundet ndokush t'i mësojë Perëndisë njohuri, atij që gjykon ata që ndodhen atje lart?
23 Dikush vdes kur ka plot fuqi, i qetë dhe i sigurt;
24 ka kovat plot me qumësht dhe palca e kockave të tij është e freskët.
25 Një tjetër përkundrazi vdes me shpirt të hidhëruar, pa pasë shijuar kurrë të mirën.
26 Që të dy dergjen bashkë në pluhur dhe krimbat i mbulojnë.
27 Ja, unë i njoh mendimet tuaja dhe planet me të cilat doni të ushtroni dhunën kundër meje.
28 Në fakt ju thoni: "Ku është shtëpia e princit, dhe ku është çadra, banesa e njerëzve të këqij?".
29 Nuk i keni pyetur ata që udhëtojnë dhe nuk i njihni shenjat e tyre?
30 Njerëzit e këqij në fakt shpëtojnë ditën e shkatërrimit dhe çohen në shpëtim ditën e zemërimit.
31 Kush e qorton për sjelljen e tij dhe kush i jep shpagim për atë që ka bërë?
32 Atë e çojnë në varr dhe i bëjnë roje varrit të tij.
33 Plisat e luginës do të jenë të ëmbël për të; tërë njerëzia do ta ndjekë, ndërsa një mori pa fund i shkon para.
34 Si mund të më ngushëlloni pra, me fjalë të kota, kur nga fjalët tuaja nuk mbetet veçse gënjeshtra?".