Kapitull 8
1 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Foli Aaronit dhe i thuaj: Kur do të vendosësh llambat, shtatë llambat duhet të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit".
3 Dhe Aaroni veproi kështu: i vendosi llambat në mënyrë që të ndriçonin pjesën e përparme të shandanit, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
4 Shandani ishte ndërtuar kështu: ishte prej ari të rrahur; ishte punuar me çekiç nga këmba e tij deri tek lulet e tij. Moisiu e kishte bërë shandanin simbas modelit që i kishte treguar Zoti.
5 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
6 "Merr Levitët ndër bijtë e Izraelit dhe pastroji.
7 Do të veprosh kështu për t'i pastruar: do të spërkatësh ujë mbi ta për t'i pastruar; pastaj do të heqin një brisk mbi tërë trupin e tyre, do të lajnë rrobat e tyre dhe do të pastrohen.
8 Pastaj do të marrin një dem të vogël me blatimin e ushqimit prej majë mielli të përzier me vaj ndërsa ti do të marrësh një dem tjetër si flijim për mëkatin.
9 Do t'i afrosh Levitët përpara çadrës së mbledhjes dhe do të thërrasësh tërë asamblenë e bijve të Izraelit.
10 Kështu do t'i afrosh Levitët përpara Zotit dhe bijtë e Izraelit do të vënë duart e tyre mbi Levitët;
11 pastaj Aaroni do t'i paraqesë Levitët si ofertë të tundur para Zotit nga ana e bijve të Izraelit, me qëllim që të kryejnë shërbimin e Zotit.
12 Pastaj Levitët do të vënë duart e tyre mbi kokën e demave të vegjël, dhe ti do të ofrosh njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust për Zotin, për të bërë shlyerjen për Levitët.
13 Do t'i mbash më këmbë Levitët përpara Aaronit dhe para bijve të tij dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur për Zotin.
14 Kështu do t'i ndash Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit dhe Levitët do të jenë të mitë.
15 Pas kësaj Levitët do të hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimin; kështu ti do t'i pastrosh dhe do t'i paraqitësh si një ofertë të tundur,
16 sepse më janë dhënë plotësisht nga gjiri i bijve të Izraelit; unë i mora për vete, në vend të të gjithë atyre që çelin barkun e nënës, në vend të të parëlindurve të të gjithë bijve të Izraelit.
17 Sepse të gjithë të parëlindurit e bijve të Izraelit, si të njerëzve ashtu dhe të kafshëve, më takojnë mua; i shenjtërova për vete ditën që godita tërë të parëlindurit në vendin e Egjiptit.
18 Mora Levitët në vend të të gjithë të parëlindurve të bijve të Izraelit.
19 Dhe i dhurova Aaronit dhe bijve të tij Levitët nga gjiri i bijve të Izraelit me qëllim që të kryejnë shërbimin e bijve të Izraelit në çadrën e mbledhjes dhe që të bëjnë shlyerjen për bijtë e Izraelit, që të mos ndodhë asnjë fatkeqësi midis bijve të Izraelit kur i afrohen shenjtërores".
20 Kështu vepruan Moisiu, Aaroni dhe tërë asambleja e bijve të Izraelit me Levitët; bijtë e Izraelit u bënë Levitëve të gjitha ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.
21 Dhe Levitët u pastruan dhe i lanë rrobat e tyre; pastaj Aaroni i paraqiti si një ofertë të tundur përpara Zotit dhe bëri shlyerjen për ta, për t'i pastruar.
22 Pas kësaj Levitët hynë në çadrën e mbledhjes për të bërë shërbimin e tyre në prani të Aaronit dhe të bijve të tij. Ata u bënë Levitëve atë që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut lidhur me ta.
23 Pastaj Zoti i foli Moisiut duke i thënë:
24 "Kjo është ajo që u takon Levitëve; nga mosha njëzet e pesë vjeç e lart Leviti do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbimet e rastit;
25 në moshën pesëdhjetë vjeç do ta ndërpresë këtë shërbim dhe nuk do të shërbejë më.
26 Do të mund të ndihmojë vëllezërit e tij në çadrën e mbledhjes, ndërsa këta kryejnë detyrat e tyre; por ai vetë nuk do të kryejë asnjë shërbim. Kështu do të veprosh me Levitët lidhur me detyrat e tyre".