Kapitull 11
1 Por populli u ankua dhe kjo nuk tingëlloi mirë në veshët e Zotit; sa e dëgjoi, Zoti u zemërua, dhe zjarri i tij shpërtheu midis tyre dhe shkatërroi skajin e kampit.
2 Atëherë populli i bërtiti Moisiut; Moisiu iu lut Zotit dhe zjarri u shua.
3 Kështu ky vend u quajt Taberah, sepse zjarri i Zotit ishte ndezur midis tyre.
4 Dhe fundërrinën heterogjene që ishte midis popullit e pushtoi një lakmi e madhe; edhe bijtë e Izraelit filluan të ankohen dhe të thonë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë?
5 Nuk i harrojmë peshqit që i hanim falas në Egjipt, kastravecat, pjeprat, preshtë, qepët dhe hudhrat.
6 Por tani e tërë qënia jonë ka shteruar; para syve tanë nuk ka asgjë tjetër veç kësaj mane".
7 Mana i ngjante farës së koriandrit dhe kishte pamjen e bdelit.
8 Populli shkonte rreth e rrotull për ta mbledhur; pastaj e bënte miell me mokrat ose e shtypte në havan, e zinte në një tenxhere ose përgatiste kuleç, të cilët kishin shijen e kuleçëve me vaj.
9 Kur binte vesa mbi kamp natën, binte mbi të edhe mana.
10 Por Moisiu dëgjoi popullin që ankohej, në të gjitha familjet e tij, secili në hyrje të çadrës së vet; zemërimi i Zotit shpërtheu me të madhe dhe kjo nuk i pëlqeu aspak edhe Moisiut.
11 Atëherë Moisiu i tha Zotit: "Pse e trajtove kaq keq shërbëtorin tënd? Pse nuk gjeta hir para syve të tu për ta vënë barrën e gjithë këtij populli mbi mua?
12 Mos vallë unë e kam gjeneruar tërë këtë popull? Mos vallë kam qenë unë që e kam nxjerrë në dritë, që ti të më thuash: "Mbaje në prehrin tënd, ashtu si taja mban fëmijën që pi sisë, deri në vendin që ti u ke premtuar me betim etërve të tij"?
13 Ku mund të gjej mish për t'i dhënë tërë këtij populli? Sepse vazhdon të qajë para meje, duke thënë: "Na jep mish për të ngrënë!".
14 Unë nuk mund ta mbaj vetëm tërë këtë popull; është një barrë shumë e rëndë për mua.
15 Në qoftë se kjo është mënyra me të cilën ti dëshiron të më trajtosh, të lutem, më vrit menjëherë po të kem gjetur hir para syve të tu; por mos lejo që unë të shoh fatkeqësinë time!".
16 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Mblidhmë shtatëdhjetë njerëz nga pleqtë e Izraelit, që ti i njeh si pleq të popullit dhe funksionarë të tij; silli në çadrën e mbledhjes dhe të rrinë aty me ty.
17 Unë do të zbres dhe aty do të flas me ty; do të marr pastaj nga Fryma që është mbi ty dhe do t'ua kaloj atyre, me qëllim që ta mbajnë bashkë me ty barrën e popullit, dhe të mos e mbash ti vetëm.
18 Pastaj do t'i thuash popullit: Shenjtërohuni për nesër, dhe do të hani mish, sepse keni qarë në veshët e Zotit, duke thënë: "Kush do të na japë mish për të ngrënë? Ishim kaq mirë në Egjipt!". Prandaj Zoti do t'ju japë mish dhe ju do ta hani.
19 Dhe do ta hani jo për një ditë, jo për dy ditë, jo për pesë ditë, jo për dhjetë ditë, jo për njëzet ditë,
20 por për një muaj të tërë, deri sa t'ju dalë nga hunda dhe t'ju shkaktojë neveri, sepse keni hedhur poshtë Zotin dhe keni qarë para tij, duke thënë: "Pse vallë dolëm nga Egjipti?"".
21 Atëherë Moisiu tha: "Ky popull, në mes të të cilit ndodhem, ka gjashtëqind mijë të rritur, dhe ti ke thënë: "Unë do t'u jap mish dhe ata do të hanë mish një muaj të tërë!".
22 Mos duhen therur kope të tëra bagëtish të trasha dhe të imta që të kenë mjaft mish? Apo duhet mbledhur për ta gjithë peshku i detit që ta kenë një sasi të mjaftueshme?".
23 Zoti iu përgjegj Moisiut: "Krahu i Zotit është shkurtuar ndofta? Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo".
24 Pastaj Moisiu doli dhe i njoftoi popullit fjalët e Zotit; mblodhi pastaj shtatëdhjetë njerëz pleq të popullit dhe i vendosi rreth e qark çadrës së mbledhjes.
25 Atëherë Zoti zbriti në renë dhe i foli atij, mori nga Fryma që qëndronte mbi të dhe e çoi mbi të shtatëdhjetë pleqtë; por kur Fryma u vu mbi ta, ata bënë profeci, me gjithë se më vonë nuk bënë më.
26 Por dy njerëz, njëri quhej Eldad dhe tjetri Medad, kishin mbetur në kamp; dhe Fryma u vu edhe mbi ta; këta ishin ndër të regjistruarit, por nuk kishin dalë për të shkuar në çadër; megjithatë bënë profeci në kamp.
27 Një djalë shkoi me vrap t'ia referojë këtë gjë Moisiut dhe i tha: "Eldadi dhe Medadi po bëjnë profeci në kamp".
28 Atëherë Jozueu, bir i Nunit dhe shërbëtor i Moisiut, një nga të rinjtë e tij, filloi të thotë: "Moisi, imzot, bëji që të heqin dorë!".
29 Por Moisiu iu përgjegj: "Ndofta je xheloz për mua? Ah, le të ishin të gjithë profetë në popullin e Zotit dhe dhëntë Zoti që Fryma e tij të vihet mbi ta!".
30 Pastaj Moisiu u kthye në kamp bashkë me pleqtë e Izraelit.
31 Atëherë u ngrit një erë me urdhër të Zotit dhe solli shkurta nga ana e detit, dhe i la të binin pranë kampit, një ditë ecjeje nga një anë dhe një ditë ecjeje nga ana tjetër rreth e qark kampit, me
32 Populli mbeti në këmbë gjithë atë ditë, tërë natën dhe tërë ditën vijuese, dhe mblodhi shkurtat. (Ai që mblodhi më pak pati dhjetë homer); dhe i shtrinë rreth e qark kampit.
33 Kishin akoma mishin ndër dhëmbë dhe nuk e kishin përtypur akoma, kur zemërimi i Zotit kundër popullit u ndez dhe ai e goditi popullin me një plagë shumë të rëndë.
34 Kështu ky vend u quajt Kibroth-Hataavah sepse aty u varrosën njerëzit që ishin dhënë pas epsheve.
35 Nga Kibroth-Hataavau populli u nis për në Haltseroth dhe u ndal në këtë vend.