Kapitull 16
1 Koreu, bir i Itsharit, bir i Kehathit, bir i Levit, tok me Dathanin dhe Abiramin, birin e Eliabit, dhe me Onin, birin e Pelethit, bij të Rubenit,
2 u ngritën para Moisiut, së bashku me disa bij të tjerë të Izraelit, dyqind e pesëdhjetë prijës të asamblesë, anëtarë të emëruar të këshillit, njerëz që u shkonte fjala.
3 Ata u mblodhën kundër Moisiut dhe Aaronit, dhe u thanë: "Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja është e shenjtë, secili nga anëtarët e tij, dhe Zoti është në mes tyre; pse, pra, ngriheni mbi asamblenë e Zotit?".
4 Me të dëgjuar këto fjalë, Moisiu ra përmbys me fytyrën për tokë;
5 pastaj i foli Koreut dhe gjithë njerëzve të tij, duke u thënë: "Nesër në mëngjes Zoti do të tregojë kush është i tij dhe kush është i shenjtë, dhe ai do ta afrojë pranë vetes; do të afrojë pranë vetes atë që ai ka zgjedhur.
6 Bëni kështu: merrni temjanica, ti Kore, dhe gjithë njerëzit e tu;
7 nesër i mbushni me zjarr dhe u hidhni sipër temjan para Zotit; dhe ai që Zoti do të ketë zgjedhur do të jetë i shenjtë. E kaluat masën, o bij të Levit!".
8 Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Tani dëgjoni, o bij të Levit!
9 A është gjë e vogël për ju që Perëndia i Izraelit ju ka ndarë nga asambleja e Izraelit dhe ju ka afruar ndaj vetes që të kryeni shërbimin e tabernakullit të Zotit dhe që të rrini përpara asamblesë dhe t'u shërbeni atyre?
10 Ai ju ka afruar ndaj vetes ty dhe të gjithë vëllezërit e tu, bij të Levit bashkë me ty. Po tani kërkon të kesh edhe priftërinë?
11 Për këtë arsye ti edhe tërë njerëzit e tu jeni mbledhur kundër Zotit. Dhe kush është Aaroni që të murmurisni kundër tij?".
12 Atëherë Moisiu dërgoi të thërrasin Datanin dhe Abiramin, bij të Eliabit; por ata thanë: "Ne nuk do të ngjitemi.
13 A është vallë gjë e vogël që na nxore nga një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, për të na lënë të vdesim në shkretëtirë, me qëllim që ti të sundosh mbi ne?
14 Përveç kësaj nuk na çove në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë dhe nuk na ke lënë si trashëgim fusha dhe vreshta! Dëshiron ti t'u nxjerrësh sytë këtyre njerëzve? Nuk do të ngjitemi".
15 Atëherë Moisiu u zemërua shumë dhe i tha Zotit: "Mos prano blatimin e tyre; unë nuk kam marrë prej tyre as edhe një gomar dhe nuk u kam bërë atyre asnjë padrejtësi".
16 Pastaj Moisiu i tha Koreut: "Ti dhe gjithë njerëzit e tu paraqituni nesër para Zotit, ti dhe ata bashkë me Aaronin;
17 dhe secili prej jush të marrë temjanicën e tij, t'i shtjerë temjan dhe secili të sjellë temjanicën e tij para Zotit; do të jenë dyqind e pesëdhjetë temjanica. Edhe ti dhe Aaroni do të merrni secili temjanicën e tij".
18 Dhe kështu secili mori temjanicën e tij, e mbushi me zjarr, vuri përsipër temjan dhe qëndroi në hyrjen e çadrës së mbledhjes bashkë me Moisiun dhe Aaronin.
19 Koreu thirri tërë asamblenë kundër tyre në hyrje të çadrës së mbledhjes; dhe lavdia e Zotit u shfaq para tërë asamblesë.
20 Atëherë Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
21 "Ndahuni nga kjo asamble dhe unë do t'i zhduk në një çast".
22 Por ata ranë përmbys me fytyrën për tokë dhe thanë: "O Perëndi, Perëndia i frymëve të çdo mishi! Sepse një njeri i vetëm ka mëkatuar, a duhet të zemërohesh ti me të gjithë asamblenë?".
23 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
24 "Foli asamblesë dhe u thuaj: "Largohuni nga afërsia e banesës së Koreut, të Dathanit dhe të Abiramit"".
25 Pastaj Moisiu u ngrit dhe shkoi te Datani dhe Abirami; atë e ndoqën pleqtë e Izraelit.
26 Pas kësaj i foli asamblesë duke thënë: "Largohuni nga çadrat e këtyre njerëzve të këqij, dhe mos prekni asgjë që u përket atyre që të mos treteni në të gjitha mëkatet e tyre".
27 Kështu ata u larguan nga afërsia e banesës së Koreut, të Datanit dhe të Abiramit. Datani dhe Abirami dolën dhe u ndalën në hyrje të çadrave të tyre bashkë me gratë e tyre, me bijtë e tyre dhe me të vegjëlit e tyre.
28 Atëherë Moisiu tha: "Nga kjo do të mësoni që Zoti më ka dërguar për të bërë tërë këto vepra dhe se nuk kam vepruar me kokën time.
29 Në qoftë se këta njerëz vdesin si vdesin gjithë njerëzit, në qoftë se fati i tyre është fati i përbashkët i të gjithë njerëzve, Zoti nuk më ka dërguar;
30 por në qoftë se Zoti bën diçka të re, në qoftë se toka hap gojën e saj dhe gëlltit ata dhe çdo gjë që ata kanë, dhe ata zbresin të gjallë në Sheol, atëherë do të pranoni që këta njerëz kanë përçmuar Zotin.
31 Por ndodhi që, posa mbaroi shqiptimi i këtyre fjalëve, dheu u ça poshtë tyre,
32 toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti me gjithë familjet e tyre, me të gjithë njerëzit që mbanin anën e Koreut, me të gjitha pasuritë e tyre.
33 Kështu zbritën të gjallë në Sheol; toka u mbyll mbi ta dhe ata u zhdukën nga asambleja.
34 Tërë Izraeli që ndodhej rreth tyre, duke dëgjuar britmat e tyre ua mbathi këmbëve, sepse thoshte: "Të mos na gëlltisë toka edhe ne!".
35 Dhe një zjarr doli nga prania e Zotit dhe gëlltiti dyqind e pesëdhjetë veta që ofronin temjanin.
36 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
37 "I thuaj Eleazarit, birit të priftit Aaron, të nxjerrë jashtë temjanicat nga zjarri, sepse ato janë të shenjta dhe ta hedhë zjarrin larg;
38 dhe nga temjanicat e atyre që kanë kryer mëkate duke vënë në rrezik jetën e tyre, të bëhen aq petëza të rrahura për të veshur altarin, sepse i kanë paraqitur para Zotit dhe për këtë arësye janë të shenjta; dhe do të shërbejnë si një qortim për bijtë e Izraelit".
39 Kështu prifti Eleazar mori temjanicat prej bronzi të paraqitura prej atyre që ishin djegur, dhe bëri petëza për të veshur altarin,
40 me qëllim që t'u shërbenin si kujtim bijve të Izraelit, dhe asnjë i huaj që nuk ishte nga fisi i Aaronit të afrohej për të ofruar temjan para Zotit dhe të mos pësonte fatin e Koreut dhe të njerëzve të tij, ashtu si Zoti i kishte thënë me anë të Moisiut.
41 Të nesërmen gjithë asambleja e bijve të Izraelit murmuriti kundër Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: "Ju keni bërë të vdesë populli i Zotit".
42 Por ndodhi që, ndërsa asambleja po mblidhej kundër Moisiut dhe Aaronit, ata u kthyen nga çadra e mbledhjes; dhe ja, reja e mbulonte atë dhe u shfaq lavdia e Zotit.
43 Atëherë Moisiu dhe Aaroni shkuan përpara çadrës së mbledhjes.
44 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
45 "Largohuni nga kjo asamble dhe unë do t'i zhduk në një çast". Dhe ata ranë përmbys me fytyrën për tokë.
46 Kështu Moisiu i tha Aaronit: "Merr temjanicën, vër brenda saj zjarr të marrë nga altari, vendos mbi të temjan dhe çoje shpejt në mes të asamblesë, dhe bëj shlyerjen e fajit për ta, sepse ka shpërthyer zemërimi i Zotit, dhe plaga ka filluar".
47 Atëherë Aaroni mori temjanicën, ashtu siç kishte thënë Moisiu, dhe vrapoi në mes të asamblesë; dhe ja, fatkeqësia kishte filluar në mes të popullit; kështu ai vuri temjanin në temjanicën dhe bëri shlyerjen për popullin.
48 Dhe u ndal midis të gjallëve dhe të vdekurve, dhe fatkeqësia u ndal.
49 Ata që vdiqën nga fatkeqësia ishin katërmbëdhjetë mijë e shtatëqind veta, përveç atyre që kishin vdekur për ngjarjet e Koreut.
50 Kështu Aaroni u kthye te Moisiu në hyrje të çadrës së mbledhjes, sepse fatkeqësia ishte ndalur.