Kapitull 1
1 Profecia që pati në vegim profeti Habakuk.
2 Deri kur, o Zot, do të bërtas dhe ti nuk do të më dëgjosh? Unë këlthas: "Dhunë!", por ti nuk jep shpëtim.
3 Përse më bën të shikoj paudhësinë dhe më bën të shoh çoroditjen? Përpara meje qëndron grabitja dhe dhuna, ka grindje dhe përçarja po shtohet.
4 Prandaj ligji nuk ka forcë dhe drejtësia nuk ia del të fitojë, sepse i pabesi e mashtron të drejtin dhe drejtësia shtrëmbërohet.
5 "Shikoni midis kombeve dhe këqyrni, do të mbeteni të habitur dhe të shastisur, sepse unë do të kryej në ditët tuaja një vepër, që ju nuk do ta besonit edhe sikur t'jua tregonin.
6 Sepse ja, unë do t'i nxis Kaldeasit, komb mizor dhe i furishëm, që përshkon dheun në gjerësinë e tij për të shtënë në dorë banesa jo të vetat.
7 Éshtë i tmerrshëm, i llahtarshëm; gjykimi i tij dhe dinjiteti i tij dalin nga ai vetë.
8 Kuajt e tij janë më të shpejtë se leopardët, më të egër se ujqërit e mbrëmjes. Kalorësit e tyre përhapen kudo, kalorësit e tyre vijnë nga larg, fluturojnë si shqiponja që sulet mbi gjahun për ta gllabëruar.
9 Vijnë të gjithë për të bërë dhunë, fytyrat e tyre shtyhen përpara dhe grumbullojnë robër si rëra.
10 Ai tallet me mbretërit dhe princat janë për të objekt talljeje; përqesh çfarëdo fortese, sepse mbledh pak dhe, dhe e pushton.
11 Pastaj përparon shpejt si era, kalon tutje dhe e bën veten fajtor, duke ia atribuar këtë forcë të tij perëndisë së vet".
12 A nuk je që nga fillimet, o Zot, Perëndia im, i shenjti im? Ne nuk do të vdesim, o Zot, sepse ti e ke caktuar për të bërë drejtësi dhe e ke caktuar, o Shkëmb, për të ndëshkuar.
13 Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë. Pse rri dhe shikon ata që veprojnë me hile, dhe hesht kur i ligu gllabëron atë që është më i drejtë se ai?
14 Pse i bën njerëzit si peshqit e detit dhe si rrëshqanorët, që nuk kanë zot?
15 Ai i zë të gjithë me grep, i zë me rrjetën e tij dhe i mbledh me rrjetën e tij të peshkimit; pastaj kënaqet dhe ngazëllon.
16 Prandaj i bën flijime rrjetës së tij dhe djeg temjan për rrjetën e tij, sepse me to pjesa e tij është e madhe dhe ushqimi i tij i bollshëm.
17 A do të vazhdojë ai, pra, të zbrazë rrjetën e tij dhe të masakrojë kombet pa mëshirë?