Isaia

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48 49 50 51 52 53 54 55 56 57 58 59 60 61 62 63 64 65 66


Kapitull 39

1 Në atë kohë Merodak-Baladani, bir i Baladanit, mbre ti Babilonisë, i dërgoi letra dhe një dhuratë Ezekias, sepse kishte dëgjuar që ai kishte qenë i sëmurë dhe ishte shëruar.
2 Ezekia u gëzua dhe u tregoi të dërguarve shtëpinë e thesaret të tij, argjendin, arin, aromat, melhemin e çmuar, tërë arsenalin e tij dhe të gjitha ato që ndodheshin në thesaret e tij; nuk mbeti asgjë nga pallati i tij dhe nga e gjithë mbretëria që Ezekia nuk ua tregoi atyre.
3 Atëherë profeti Isaia erdhi te mbreti Ezekia dhe i tha: "Çfarë thanë ata njerëz dhe nga kanë ardhur te ti?". Ezekia u përgjigj: "Kanë ardhur tek unë nga një vend i largët, nga Babilonia".
4 Isaia pyeti akoma: "Çfarë panë në pallatin tënd?". Ezekia u përgjigj: "Panë gjithçka që ndodhet në pallatin tim; nuk mbeti asgjë nga thesaret e mia që nuk ua tregova atyre.
5 Atëherë Isaia i tha Ezekias: "Dëgjo fjalën e Zotit të ushtrive:
6 Ja, do të vijnë ditë në të cilat gjithçka që ndodhet në pallatin tënd dhe ato që etërit e tu kanë grumbulluar deri më sot do të mbarten në Babiloni; nuk do të mbetet asgjë, thotë Zoti.
7 Do të marrin gjithashtu bijtë që kanë dalë prej teje dhe që janë lindur nga ti, do t'i bëjnë eunukë në pallatin e mbretit të Babilonisë".
8 Ezekia i tha pastaj Isaias: "Fjala e Zotit që ti shqiptove është e mirë". Pastaj shtoi: "Do të ketë të paktën paqe dhe siguri gjatë jetës sime".