Kapitull 35
1 Shkretëtira dhe toka e thatë do të gëzohen, vetmia do të gëzohet dhe do të lulëzojë si trëndafili;
2 do të lulëzojë shumë dhe do të ngazëllojë me hare dhe britma gëzimi. Do t'u jepet lavdia e Libanit, madhështia e Karmelit dhe e Sharonit. Ata do të shohin lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë tonë.
3 Forconi duart e dobësuara, bëjini të qëndrueshëm gjunjët e pasigurt!
4 U thoni atyre që e kanë humbur zemrën: "Bëhuni të fortë, mos kini frikë!". Ja, Perëndia juaj do të vijë me hakmarrjen dhe me shpërblimin e Perëndisë; do të vijë ai vetë për t'ju shpëtuar.
5 Atëherë do të hapen sytë e të verbërve dhe veshët e të shurdhëve;
6 atëherë çalamani do të kërcejë si një dre dhe gjuha e memecit do të bërtasë nga gëzimi, sepse do të dalin ujëra në shkretëtirë dhe përrenj në vendin e vetmuar.
7 Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash; në vendet ku shtriheshin çakejtë do të ketë bar me kallamishte dhe xunkth.
8 Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet "rruga e shenjtë"; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin.
9 Luani nuk do të jetë më, as edhe ndonjë bishë e egër nuk do të dalë aty ose nuk do të duket, por do të ecin të çliruarit.
10 Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi, dhe dhembja e rënkimi do të ikin.