ZBULESA

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22


Kapitull 14

1 Pastaj pashë Qengjin që rrinte në këmbë në mal të Sionit, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë njerëz, që e kishin të shkruar mbi ballin e tyre emrin e tij dhe emrin e Atit të tij.
2 Dhe dëgjova pastaj një zë nga qielli si ushtima e shumë ujërave dhe si gjëmimi i një bubullime të madhe; dhe zëri që dëgjova ishte si ai i kitaristëve që u bien qesteve së tyre.
3 Ata këndonin një këngë të ri përpara fronit, përpara katër qenjeve të gjalla dhe përpara pleqve; dhe asnjë nuk mund ta mësonte kantikun përveç të njëqind e dyzet e katër mijëve, që ishin shpenguar nga toka.
4 Këta janë ata që nuk janë ndotur me femra; janë në fakt të virgjër. Këta janë ata që ndjekin Qengjit, kudo që të shkojë ai; këta u shpenguan ndër njerezit, që të jenë të parat fruta për Perëndinë dhe Qengjin.
5 Edhe në gojë të tyre nuk u gjet gënjeshtër, sepse janë të paqortueshëm përpara fronit të Perëndisë.
6 Pastaj pashë një engjëll tjetër që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut dhe çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli,
7 dhe thoshte me zë të madh: “Druani Perëndinë dhe i jepni lavdi, sepse ora e gjyqit të tij erdhi; adhuroni atë që bëri qiellin, dheun, detin dhe burimet e ujërave.”
8 Pastaj një tjetër ëngjëll shkoi pas tyre, duke thënë: “Ra, ra Babilona, qyteti i madh që u ka dhënë të pinë të gjithë kombeve verën e zemërimit të kurvërimit të saj.”
9 Një engjëll i tretë shkoi pas tyre duke thënë me zë të madh: “Nëse ndokush adhuron bishën dhe figurën e saj dhe merr damkën mbi ballin e vet ose mbi dorën e vet,
10 do të pijë edhe ai nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij dhe do të mundohet me zjarr e squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.
11 Dhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në shekuj të shekujve, dhe nuk do të kenë prehje ditë e natë ata që adhurojnë bishën dhe figurën e saj dhe kushdo që merr damkën e emrit të saj.”
12 Këtu është qëndrueshmëria e shenjtorëve; këtu janë ata që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe besimin e Jezusit.
13 Pastaj dëgjova nga qielli një zë që më thoshte: “Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t’i ndjekin.”
14 Pastaj pashë një re të bardhë, dhe ja, mbi re po rrinte i ulur një i ngjashëm me një Bir njeriu, i cili kishte mbi krye një kurorë të artë dhe në dorë një drapër të mprehtë.
15 Një engjëll tjetër doli nga tempulli, duke i thirrur me zë të madh atij që ulej mbi re: “Vër dorë mbi drapërin tënd dhe korr, sepse ora e të korrurit ka ardhur dhe të korrat e dheut janë pjekur.”
16 Atëherë ai që ulej mbi re e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe dheu u korr.
17 Pastaj një engjëll tjetër doli nga tempulli që është në qiell, duke mbajtur dhe ai një drapër të mprehtë.
18 Dhe një engjëll tjetër, që kishte pushtet mbi zjarrin, doli nga altari dhe i thirri me zë të madhe atij që kishte drapërin e mprehtë, duke thënë: “Vëre në punë drapërin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të dheut, sepse rrushi i tyre është pjekur.”
19 Atëherë engjëlli e lëshoi drapërin e tij mbi tokë dhe voli vreshtin e dheut dhe hodhi rrushin në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë.
20 Dhe voza u shtrydh jashtë qytetit dhe nga voza doli gjak deri te frerët e kuajve, për njëmijë e gjashtëqind stade.