Kapitull 13
1 Dashuria vëllazërore le të mbetet.
2 Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj!
3 Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup.
4 Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.
5 Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”
6 Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?.”
7 Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre.
8 Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.
9 Mos e lëshoni veten aty e këtu prej doktrinah të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra juaj të forcohet me anë të hirit dhe jo prej ushqimit, të cilat nuk u dhanë asnjë dobi atyre aq sa ecën.
10 Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit.
11 Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave është sjellë prej kryepriftit në shenjtëroren për mëkatin, digjen jashtë fushës.
12 Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit)
13 Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.
14 Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.
15 Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.
16 Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.
17 Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psheretima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.
18 Lutuni për ne, sepse ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.
19 Dhe ju bëj thirrje edhe më shumë ta bëni këtë, që unë të kthehem te ju sa më parë.
20 Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht,
21 ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
22 Dhe ju lutem, o vëllezër, ta mbani këtë fjalë këshillimi, sepse ju shkrova shkurt.
23 Ta dini se vëllai Timoteu u lirua nga burgu. Nëse mbërrin së shpejti, unë do të vij te ju bashkë me të.
24 Përshëndetni të gjithë të parët tuaj dhe gjithë shenjtorët! Ju përshëndesin ata të Italisë.
25 Hiri qoftë mbi ju të gjithë! Amen.