Kapitull 2
1 Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus;
2 dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.
3 Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
4 Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
5 Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.
6 Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.
7 Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.
8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.
14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.
15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.
16 Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,
17 dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,
18 të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët," dhe: "Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".
20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.
21 Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.
23 Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.
24 Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,
25 duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,
26 dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.