GJONI

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21


Kapitull 4

1 Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni
2 (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),
3 e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
4 Por duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.
6 Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.
7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ''Më jep të pi'',
8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 Por gruaja samaritane i tha: ''Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?'' (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë''.
11 Gruaja i tha: ''Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?
12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?''.
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
14 por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme''.
15 Gruaja i tha: ''Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!''.
16 Jezusi i tha: ''Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu''.
17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: ''Unë nuk kam burrë''. Jezusi i tha: ''Mirë the: "Nuk kam burrë",
18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!''.
19 Gruaja i tha: ''Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë''.
21 Jezusi i tha: ''O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s'e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t'a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''.
25 Gruaja i tha: ''Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë''.
26 Jezusi i tha: ''Unë jam, ai që po të flet!''.
27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ''Çfarë do?'' ose: ''Pse po flet me të?''.
28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:
29 ''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''.
30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.
31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ''Mësues, ha''.
32 Por ai u tha atyre: ''Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s'e njihni''.
33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: ''Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?''.
34 Jezusi u tha atyre: ''Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.
35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.
36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.
37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".
38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre''.
39 Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: ''Ai më tregoi gjithçka kam bërë''.
40 Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.
41 Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.
42 Dhe ata i thoshnin gruas: ''S'është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës''.
43 Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,
44 sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.
45 Pra, kur arriti në Galile, Galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.
46 Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.
48 Atëherë Jezusi i tha: ''Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni''.
49 Nëpunësi i mbretit i tha: ''Zot, zbrit para se djali im të vdesë''.
50 Jezusi i tha: ''Shko, djali yt jeton!''. Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
51 Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: ''Djali yt jeton!''.
52 Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: ''Dje në orën e shtatë e lanë ethet''.
53 Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: ''Djali yt jeton''; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
54 Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.