Kapitull 16
1 ''Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.
2 Do t'ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t'ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.
3 Dhe do t'ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.
4 Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.
5 Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s'po më pyet: "Ku po shkon?".
6 Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.
7 Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t'jua dërgoj.
8 Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.
9 Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;
10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;
11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.
12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t'ju thënë, por ato ende ju nuk mund t'i mbani.
13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t'ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t'ju kumtojë gjërat që do vijnë.
14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t'jua kumtojë.
15 Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t'jua kumtojë.
16 Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati''.
17 Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: ''Ç'është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?''.
18 Thoshnin pra: ''Ç'është kjo "Pas pak", për të cilën flet? Ne s'dimë ç'don të thotë''.
19 Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: ''Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më", dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?
20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.
21 Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.
22 Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t'ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t'ua heqë gëzimin tuaj.
23 Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t'i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t'jua japë.
24 Deri tani ju s'keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
25 Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t'ju flas më me shëmbëlltyra, por do t'ju flas haptas për Atin.
26 Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t'i lutem Atit për ju;
27 Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia.
28 Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati''.
29 Dishepujt e tij i thanë: ''Ja, ti tani po flet haptas dhe s'po përdor asnjë shëmbëlltyrë.
30 Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s'ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia''.
31 Jezusi u përgjigj atyre: ''A besoni tani?
32 Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.
33 Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''.