MARKU

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16


Kapitull 13

1 Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: ''Mësues, shih ç'gurë e ç'ndërtesa!''.
2 Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: ''A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''.
3 Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
4 ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?''.
5 Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: ''Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
6 Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
7 Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
8 Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
9 Kujdesuni për veten! Sepse do t'ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t'ju rrahin ndër sinagoga; do t'ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
10 Por më parë duhet që t'u përhapet ungjilli gjithë popujve.
11 Tani, kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
12 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i bëjnë të vdesin.
13 Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet''.
14 Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.
15 Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.
16 Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
17 Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!
18 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.
19 Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.
20 Dhe, nëse Zoti nuk do t'i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.
21 Atëherë, nëse dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose "Éshtë atje", mos e besoni.
22 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.
23 Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë''.
24 ''Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;
25 yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.
26 Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.
27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t'i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.
28 Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
30 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.
32 ''Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.
33 Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.
34 Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.
35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;
36 që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.
37 Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!''.