Kapitull 23
1 Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,
2 duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.
3 Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.
4 Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.
5 Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.
6 Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,
7 si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.
8 Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.
9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
10 As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
11 Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.
12 Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
13 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.
14 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.
15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!
16 Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s'është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".
17 Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
18 Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s'është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".
19 Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?
20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!
21 Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.
22 Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.
23 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t'i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.
24 Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!
25 Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.
26 Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.
27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.
28 Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.
29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
30 dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".
31 Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
32 Ju e kaloni masën e etërve tuaj!
33 O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
34 Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t'i vritni dhe do t'i kryqëzoni, disa të tjerë do t'i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t'i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
35 që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
36 Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.
37 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!
38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.
39 Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!"''.