MATEU

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28


Kapitull 12

1 Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë.
2 Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''.
3 Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?
4 Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?
5 Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?
6 Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.
7 Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.
8 Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.
9 Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;
10 dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''.
11 Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?
12 E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''.
13 Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.
14 Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.
15 Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,
16 dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,
17 me qëllim që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:
18 ''Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t'u shpall drejtësinë popujve.
19 Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t'ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.
20 Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.
21 Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij''.
22 Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.
23 Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: ''A mos është ky i Biri i Davidit?''.
24 Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve''.
25 Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: ''Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.
26 Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?
27 Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.
29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t'i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t'ia plaçkisë shtëpinë.
30 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.
31 Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet atyre.
32 Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme''.
33 ''Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.
34 O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç'ka zemra qet goja.
35 Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.
36 Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.
37 Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh''.
38 Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: ''Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje''.
39 Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: ''Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
40 Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.
41 Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonah; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.
42 Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.
43 Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.
44 Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;
45 atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë''.
46 Ndërsa ai vazhdonte t'u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.
47 Dhe dikush i tha: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty''.
48 Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: ''Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?''.
49 E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
50 Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë''.