Kapitull 5
1 "Ti, bir njeriu, merr një brisk të mprehur dhe përdore si një brisk berberi, duke bërë të kalojë mbi kokën tënde dhe mbi mjekrën tënde; pastaj do të marrësh një peshore dhe do ti ndash qimet në tri pjesë.
2 Do të djegësh një të tretën e tyre në zjarr në mes të qytetit në mbarim të ditëve të rrethimit. Pastaj do të marrësh një të tretë të tyre dhe do ta godasësh rreth e qark me shpatë; edhe një të tretë të tyre do ta shpërndash sipas erës; prapa tyre unë do të zhvesh shpatën.
3 Do të marrësh gjithashtu një numër të vogël qimesh dhe do t'i lidhësh në cepat e rrobave të tua.
4 Nga këto do të marrësh akoma disa dhe do t'i hedhësh në mes të zjarrit, dhe do t'i djegësh në zjarr; andej do të dalë një zjarr kundër tërë shtëpisë së Izraelit.
5 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ky është Jeruzalemi. Unë e kisha vendosur në mes të kombeve dhe të vendeve të tjera që kishte përreth.
6 Ai u rebelua kundër ligjeve të mia për të kryer paudhësi më tepër se kombet që e rrethojnë dhe kundër statuteve të mia më tepër se vendet që e rrethojnë. Po, ata i kanë përçmuar ligjet e mia dhe nuk kanë ecur sipas statuteve të mia".
7 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ju keni qenë më të pabindur se kombet që ju rrethojnë, nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe nuk keni zbatuar ligjet e mia dhe as nuk keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë".
8 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë, unë vetë, jam kundër teje, dhe do t'i zbatoj në mes teje vendimet e mia para kombeve;
9 dhe do të bëj në mes teje atë që nuk kam bërë kurrë dhe që nuk do ta bëj kurrë më, për shkak të të gjitha neverive të tua.
10 Prandaj në mes teje etërit do të hanë bijtë e tyre dhe bijtë do të hanë etërit e tyre; do të zbatoj gjykimet e mia mbi ty dhe do të shpërndaj në të gjitha erërat gjithçka që do të mbetet prej teje.
11 Prandaj ashtu siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "sepse ti ke ndotur shenjtëroren time me të gjitha ndyrësirat e tua dhe neveritë e tua, do të të heq favorin tim, syri im nuk do të ketë asnjë mëshirë dhe nuk do të kem asnjë dhembshuri.
12 Një e treta prej teje do të vdesë nga murtaja dhe do të konsumohet nga uria që mbretëron në mes tënd; një e tretë do të bjerë nga shpata rreth teje dhe unë do ta shpërndaj në të gjitha erërat pjesën e tretë, dhe do të zhvesh shpatën kundër tyre.
13 Kështu unë do të shfryj zemërimin tim dhe do të kënaq mbi ta tërbimin tim dhe do të jem i qetë. Atëherë ata do të mësojnë që unë, Zoti fola në xhelozinë time, kur do të shfryj mbi ta tërbimin tim.
14 Përveç kësaj do të bëj që ti të bëhesh nje shkreti dhe një turp midis kombeve që të rrethojnë, para syve të të gjithë kalimtarëve.
15 Dhe kjo do të jetë një turp, një objekt talljeje, një mësim dhe një objekt habije për kombet që të rrethojnë, kur do të zbatojë mbi ty gjykimet e mia me zemërim, me tërbim dhe me ndëshkime me indinjatë. Unë Zoti, kam folur.
16 Kur do të hedh kundër tyre shigjetat e tmerrshme të urisë, që sjellin shkatërrim dhe që unë do të dërgoj për t'ju shkatërruar, do ta bëj edhe më të rëndë urinë tuaj dhe do t'ju heq bazën e bukës.
17 Kështu do të dërgoj kundër jush urinë dhe kafshë të këqija që do të të lënë pa fëmijë. Murtaja dhe masakra do të kalojnë në mes teje dhe do të bëj që shpata të vijë mbi ty. Unë, Zoti, kam folur"".