Ezekiel

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24 25 26 27 28 29 30 31 32 33 34 35 36 37 38 39 40 41 42 43 44 45 46 47 48


Kapitull 1

1 Në vitin e tridhjetë, më pesë të muajit të katërt, ndodhi që ndërsa isha midis të internuarve pranë lumit Kebar, qiejtë u hapën dhe pata vegime nga ana e Perëndisë.
2 Më pesë të muajit (ishte viti i pestë i robërisë së mbretit Jehojakin),
3 fjala e Zotit iu drejtua shprehimisht priftit Ezekiel, birit të Buzit, në vendin e Kaldeasve, pranë lumit Kebar; dhe atje lart dora e Zotit qe mbi të.
4 Ndërsa po shkoja, ja ku erdhi nga veriu një erë furtune, një re e madhe me një zjarr që mbështillej rreth vetes së tij; rreth tij dhe nga mesi i tij dilte një shkëlqim i madh si ngjyra e bronzit ikandeshent që ndodhet në mes të zjarrit.
5 Nga mesi i tij dukej ngjashmëria e katër qënieve të gjalla; dhe kjo ishte pamja e tyre: kishin ngjashmërinë e njeriut.
6 Secili prej tyre kishte katër fytyra dhe secili katër krahë.
7 Këmbët e tyre ishin të drejta dhe tabani i këmbës së tyre ishte si ai i tabanit të këmbës së një viçi, dhe shkëlqenin si bronzi me lustër.
8 Në të katër anët, poshtë krahëve, kishin duar njerëzish; dhe që të katër kishin fytyrat e tyre dhe krahët e tyre.
9 Krahët e tyre preknin njeri tjetrin; duke ecur përpara, nuk ktheheshin prapa, por secili shkonte drejt përpara tij.
10 Sa për pamjen e fytyrave të tyre, të gjithë kishin fytyrë njeriu, që të katër fytyrë luani në të djathtë, që të katër fytyrë kau në të majtë, dhe që të katër fytyrë shqiponjeje.
11 Kështu ishin fytyrat e tyre. Krahët e tyre ishin shtrirë lart; secili kishte dy krahë që preknin njëra tjetrën dhe dy që mbulonin trupin e tyre.
12 Secili shkonte drejt përpara tij; shkonin atje ku fryma donte të shkonte dhe, duke shkuar, nuk silleshin.
13 Sa për pamjen e qënieve të gjalla, këto dukeshin si qymyre të ndezur, si pishtarë. Zjarri lëvizte në mes të qënieve të gjalla; zjarri ishte i ndritshëm dhe prej tij dilnin shkrepëtima.
14 Qëniet e gjalla vraponin përpara dhe prapa, dukeshin si një rrufe.
15 Ndërsa shikoja qëniet e gjalla, ja një rrotë për tokë pranë qënieve të gjalla me katër fytyrat e tyre.
16 Pamja e rrotave dhe punimi i tyre ishte si pamja e ngjyrës së krizolitit; që të katra i ngjisnin njera tjetrës. Pamja e tyre dhe punimi i tyre si ato të një rrote në mes të një rrote tjetër.
17 Kur lëviznin, shkonin në drejtim të njerit prej katër drejtimeve dhe, duke shkuar nuk silleshin prapa.
18 Sa për rrathet e tyre ishin të lartë dhe të madhërishëm; dhe rrathët e gjithë të katërve ishin plot me sy rreth e qark.
19 Kur lëviznin qëniet e gjalla, edhe rrotat lëviznin pranë tyre dhe, kur qëniet e gjalla ngriheshin nga toka, ngriheshin edhe rrotat.
20 Kudo që fryma donte të shkonte, shkonin edhe ata, sepse aty shkonte fryma; rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma qënieve të gjalla ishte në rrota.
21 Kur ata lëviznin, edhe rrotat lëviznin; kur këto ndaleshin, edhe ato ndaleshin, dhe kur ngiheshin nga toka, edhe rrotat ngriheshin bashkë me ta, sepse fryma i qënieve të gjalla ishte në rrota.
22 Mbi kokat e qënieve të gjalla ishte ngjashmëria e një kupe qiellore, që i përngjiste ngjyrës së një kristali të madhërishëm të shtrirë mbi kokat e tyre.
23 Poshtë kupës qiellore shtriheshin drejt krahët e tyre, njëra ndaj tjetrës; secili kishte nga dy që mbulonin një anë dhe dy të tjera që mbulonin anën tjetër të trupit.
24 Kur ata lëviznin, unë dëgjoja zhurmën e krahëve të tyre, si zhurmën e ujrave të mëdha, si zëri i të Plotfuqishmit, si zhurma e një rrëmuje të madhe, si oshtima e një ushtrie; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre.
25 Dhe dëgjohej një zhurmë nga kupa qiellore lart që ishte mbi kokat e tyre; kur ndaleshin, ulnin krahët e tyre.
26 Mbi kupën qiellore që ishte mbi kokat e tyre, ndodhej një gjë që i ngjante një froni që dukej si një gur safiri, dhe mbi këtë lloj froni, në pjesën e sipërme të tij, ishte një figurë që i përngjiste një njeriu.
27 Nga sa tregonin ijët e tij lart, unë pashë gjithashtu diçka si ngjyra e bronzit inkandeshent që dukej si zjarr brenda tij rreth e qark; dhe nga sa tregonin ijët e tij poshtë pashë diçka që i përngjante zjarrit dhe që lëshonte rreth e qark një shkëlqim të madh.
28 Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit. Kur e pashë, u rrëzova me fytyrë dhe dëgjova zërin e dikujt që fliste.