Kapitull 23
1 "Mjerë barinjtë që prishin dhe shpërndajnë kopenë e kullotës sime", thotë Zoti.
2 Prandaj kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullosin popullin tim: "Ju keni shpërndarë delet e mia, i keni përzënë dhe nuk keni pasur kujdes për to; ja, unë do t'ju dënoj për ligësinë e veprimeve tuaja", thotë Zoti.
3 "Por do të mbledh kusurin e deleve të mia nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë dhe do t'i çoj përsëri në kullotat e tyre, ku do të jenë pjellore dhe do të shumohen.
4 Do të caktoj mbi to barinj që do t'i kullosin dhe nuk do të kenë më ndrojtje as frikë; nuk do të mungojë asnjë prej tyre", thotë Zoti.
5 "Ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "në të cilat do të shkaktoj që të dalë nga Davidi një filiz i drejtë, që do të mbretërojë si mbret, do të ketë mbarësi dhe do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.
6 Në ditët e tij Juda do të shpëtohet dhe Izraeli do të qëndrojë në siguri. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti drejtësia jonë".
7 Pra, ditët po vijnë", thotë Zoti, "gjatë të cilave nuk do të thuhet më: "Për Zotin e gjallë që i nxori bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit",
8 por: "Për Zotin e gjallë që nxori dhe çoi përsëri pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga vendi i veriut dhe nga të tëra vendet ku i kisha shpërndarë"; dhe ata do të qëndrojnë në vendin e tyre".
9 Zemra ime është thyer brenda meje për shkak të profetëve, tërë kockat e mia dridhen. Jam si një i dehur, si një njeri i mposhtur nga vera, për shkak të Zotit dhe fjalëve të tij të shenjta.
10 Sepse vendi është plot me shkelës të kurorës, për shkak të mallkimit vendi është në zi, kullotat e shkretëtirës janë tharë. Vrapi i tyre është i mbrapshtë dhe forca e tyre nuk është e drejtë.
11 "Si prifti ashtu edhe profeti janë prishur; po, e kam gjetur ligësinë e tyre edhe në vetë shtëpinë time", thotë Zoti.
12 "Prandaj rruga e tyre do të jetë për ta si shtigje ku njeriu shket; do të shtyhen në errësirë dhe do të rrëzohen nëpër to, sepse do të bëj që të bjerë mbi ta një gjëmë, në vitin e dënimit të tyre", thotë Zoti.
13 "Kam vërejtur budallallëqe midis profetëve të Samarias: profetizonin në emër të Baalit dhe e çonin në rrugë të keqe popullin tim të Izraelit.
14 Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora".
15 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët: "Ja, unë do t'i ushqej me pelin dhe do t'i bëj të pinë ujë të helmuar, sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin".
16 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.
17 U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: "Zoti ka thënë: Do të keni paqe"; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: "Asnjë e keqe nuk do t'ju vijë".
18 Por kush ka marrë pjesë në këshillën e Zotit? Kush ka parë, kush ka dëgjuar fjalën e tij? Kush i ka kushtuar kujdes fjalës së tij dhe e ka dëgjuar?
19 Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve.
20 Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; ditët e fundit do të kuptoni fare mirë.
21 Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.
22 Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time, atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.
23 A jam unë vetëm një Perëndi nga afër", thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?
24 A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?", thotë Zoti. "A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?", thotë Zoti.
25 "Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: "Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!".
26 Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e këtyre profetëve që profetizojnë gënjeshtra dhe profetizojnë mashtrimin e zemrës së tyre?
27 Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.
28 Profeti që pa një ëndërr le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time le ta kallëzojë atë me besnikëri. Ç'punë ka kashta me grurin?", thotë Zoti.
29 "A nuk është fjala ime si zjarri?", thotë Zoti, "dhe si një çekiç që thyen gurin?
30 Prandaj ja", thotë Zoti, "unë jam kundër profetëve që i vjedhin njëri-tjetrit fjalët e mia.
31 Ja", thotë Zoti, "unë jam kundër profetëve që përdorin gjuhën e tyre dhe thonë: "Ai thotë".
32 Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme", thotë Zoti, "dhe ia tregojnë popullit tim dhe e prishin atë me gënjeshtrat dhe me mburrësitë e tyre, megjithëse unë nuk i kam dërguar dhe as nuk u kam dhënë ndonjë urdhër; prandaj nuk do të jenë aspak të vlefshëm për këtë popull", thotë Zoti.
33 Në qoftë se ndërkaq ky popull ose një profet a një prift do të të pyesë, duke thënë: "Cili është orakulli i Zotit?", ti do t'u përgjigjesh atyre: Cilin orakull? Unë do t'ju hedh poshtë", thotë Zoti.
34 "Sa për profetin, priftin o popullin që do të thotë: "Orakulli i Zotit", unë do ta dënoj atë person dhe shtëpinë e tij.
35 Kështu do t'i thoni secili fqinjit të vet secili vëllait të vet: "Çfarë përgjigje ka dhënë Zoti?" dhe "Çfarë ka thënë Zoti?".
36 Por orakullin e Zotit nuk do ta përmendni më, sepse fjala e secilit do të jetë orakulli i tij, sepse keni shtrembëruar fjalët e Perëndisë të gjallë, Zoti i ushtrive, Perëndia ynë.
37 Kështu do t'i thuash profetit: "Çfarë përgjigje të dha Zoti?" dhe "Çfarë ka thënë Zoti?".
38 Por në rast se thoni akoma: "Orakulli i Zotit", atëherë kështu thotë Zoti: Me qenë se thoni këtë fjalë: "Orakulli i Zotit", megjithëse unë ju kisha dërguar fjalë: Mos thoni më "Orakulli i Zotit",
39 ja, unë do t'ju harroj plotësisht dhe do t'ju hedh larg fytyrës sime, ju dhe qytetin që ju kisha dhënë juve dhe etërve tuaj,
40 dhe do t'ju mbuloj me një turp të përjetshëm, që nuk do të harrohet kurrë".