Kapitull 147
1 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t'i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh.
2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit.
3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre.
4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre.
5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij.
6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij.
7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë,
8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet.
9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin.
10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut.
11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion.
13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje.
14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë.
15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun.
16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi.
17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t'i bëjë ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin.
19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij.
20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja.