Kapitull 4
1 Pastaj bëri një altar prej bronzi të gjatë njëzet kubitë, të gjerë njëzet kubitë dhe të lartë dhjetë kubitë.
2 Bëri gjithashtu një det prej metali të shkrirë, në formë rrethi, që nga një cep në cepin tjetër ishte dhjetë kubitë; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi i tij tridhjetë kubitë.
3 Poshtë buzës kishte figura të ngjashme me qetë, dhjetë për çdo kubit, që rrethonin detin nga çdo anë. Qetë, të vendosur në dy radhë, ishin derdhur bashkë me detin.
4 Ky mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, nga të cilët tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti ishte vendosur mbi ta dhe pjesët e tyre të pasme ishin kthyer nga ana e brendshme.
5 Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte bërë si buza e një kupe, si lulja e një zambaku; deti mund të përmbante deri tre mijë bate.
6 Bëri edhe dhjetë enë për pastrim dhe i vendosi pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë; në to laheshin gjërat që i përkisnin olokaustit; në det laheshin përkundrazi priftërinjtë.
7 Bëri dhjetë shandane prej ari, sipas normave të caktuara, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë.
8 Bëri dhjetë tryeza dhe i vendosi në tempull pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë. Bëri gjithashtu njëqind kupa prej ari.
9 Pastaj bëri oborrin e priftërinjve dhe oborrin e madh me portat e tij të veshura me bronz.
10 Pas kësaj e vendosi detin nga krahu i djathtë, në drejtim të juglindjes.
11 Hirami bëri gjithashtu enët, lopatëzat dhe legenët e vegjël. Kështu Hirami përfundoi punën që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Perëndisë;
12 dy shtyllat, dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëzat për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave,
13 katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz me qëllim që të mbulohen dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave).
14 Bëri edhe qerrëzat dhe enët e mëdha mbi qerrëzat,
15 detin, një të vetëm, dhe dymbëdhjetë qetë nën detin,
16 si edhe enët, lopatëzat, pirunët dhe të gjitha sendet e tyre, që mjeshtri Hiram i bëri prej bronzi të shndritshëm për mbretin Salomon, për shtëpinë e Zotit.
17 Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit, në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut.
18 Salomoni i bëri këto vegla në një sasi kaq të madhe, sa që pesha e bronzit nuk u përcaktua dot.
19 Kështu Salomoni përgatiti të gjitha orenditë për shtëpinë e Perëndisë; altarin prej ari dhe tryezat mbi të cilat vendoseshin bukët e paraqitjes,
20 shandanët me llambat e tyre prej ari të kulluar që duhet të ndizeshin sipas normës së caktuar para shenjtërores;
21 lulet, llambat dhe veglat në formë gërshëre prej ari; ishin prej ari shumë të kulluar;
22 thikat, legenët, kupat dhe mangallët prej ari të kulluar. Sa për hyrjen e tempullit, portat e brendshme që të çonin në vendin shumë të shenjtë dhe portat që të futnin në anijatën e tempullit ishin prej ari.