II SELANIKASVE

Kapitull: 1 2 3


Kapitull 1

1 Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht:
2 paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron,
4 aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.
5 Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,
6 sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,
7 kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,
8 në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.
9 Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,
10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.
11 Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit,
12 që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.