LLUKA

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16 17 18 19 20 21 22 23 24


Kapitull 5

1 Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,
2 pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.
3 Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.
4 Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: ''Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk''.
5 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: ''Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.
6 Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.
7 Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t'i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.
8 Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: ''Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar''.
9 Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.
10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: ''Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë''.
11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.
12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: ''Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh''.
13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: ''Po, e dua, qofsh i pastruar''. Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
14 Dhe Jezusi e urdhëroi: ''Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t'u shërbejë si dëshmi''.
15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t'u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.
16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.
17 Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.
18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.
19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.
20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: ''Njeri, mëkatet e tua të janë falur''.
21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: ''Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t'i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?''.
22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ''Ç'po arsyetoni në zemrat tuaja?
23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur", apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?
24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!''.
25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.
26 Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: ''Sot pamë gjëra të mahnitshme''.
27 Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: ''Ndiqmë''.
28 Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.
29 Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta.
30 Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: ''Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?''.
31 Dhe Jezusi, duke u përgjegjur, u tha: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.
32 Unë nuk erdha t'i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët''.
33 Atëherë ata i thanë: ''Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?''.
34 Ai u përgjigj atyre: ''A mund t'i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta?
35 Por do të vijnë ditët kur do t'ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë''.
36 Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: ''Askush nuk qep një copë të një rrobë të re mbi një rrobe të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës.
37 Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm.
38 Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen.
39 Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë"''.