Kapitull 9
1 Orakulli i fjalës së Zotit kundër vendit të Hadrakut dhe Damasku vendpushimi i tij (sepse sytë e njerëzve të të gjitha fiseve të Izraelit i drejtohen Zotit),
2 dhe kundër Hamathit, që është në kufi me të, dhe kundër Tiros dhe Sidonit, ndonëse ata janë shumë të urtë.
3 Tiro ka ndërtuar një fortesë dhe ka grumbulluar argjend si pluhur dhe ar si balta e rrugëve.
4 Ja, Zoti do ta rrëzojë nga fuqia dhe do të shkatërrojë pushtetin e tij në det, dhe ai do të konsumohet nga zjarri.
5 Ashkeloni do ta shohë dhe do të ketë frikë, edhe Gaza do të përpëlitet nga dhëmbja e madhe dhe po kështu Ekroni, sepse shpresa e tij do të pësojë zhgënjim. Mbreti do të zhduket nga Gaza dhe Ashkeloni nuk do të banohet më.
6 Një popull bastard do të banojë në Ashdod, dhe unë do të asgjësoj krenarinë e Filistejve.
7 Do të heq gjak nga goja e tij dhe gjërat e neveritshme nga dhëmbët e tij, dhe ai gjithashtu do të jetë një i mbetur për Perëndinë tonë dhe do të jetë si një kryetar në Judë, dhe Ekroni si Jebuzeu.
8 Do të fushoj rreth shtëpisë sime për ta mbrojtur nga çfarëdo ushtrie, nga kush shkon dhe kush vjen; asnjë shtypës nuk do të kalojë më nga ata, sepse tani pashë vetë me sytë e mi.
9 Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.
10 Unë do t'i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jeruzalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t'u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.
11 Sa për ty, për shkak të gjakut të besëlidhjes sime me ty, i çlirova robërit e tu nga gropa pa ujë.
12 Kthehuni në fortesë, o ju robër të shpresës! Pikërisht sot unë deklaroj se do të të jap dyfishin.
13 Do ta përkul Judën për mua si harkun tim dhe me Efraimin do ta mbush me shigjeta, dhe do t'i ngre në këmbë bijtë e tu, o Sion, kundër bijve të tu, o Javan, dhe do të të bëj si shpata e një njeriu të fuqishëm.
14 Atëherë mbi ta do të duket Zoti dhe shigjeta e tij do të niset si një rrufe. Zoti, Zoti, do t'i bjerë borisë dhe do të përparojë bashkë me shakullimat e jugut.
15 Zoti i ushtrive do t'i mbrojë; kështu ata do të gllabërojnë dhe do të shkelin gurët e hobeve të armiqve të tyre, do të pijnë dhe do të bëjnë zhurmë si të nxitur nga vera dhe do të jenë plot me gjak si legenat e vegjël që përdoren për flijime, si brirët e altarit.
16 Zoti, Perëndia i tyre, do t'i shpëtojë atë ditë, si kopeja e popullit të tij, sepse do të jenë si gurët e çmuar të një kurore, që do të ngrihen lart si një flamur mbi tokën e tij.
17 Sa e madhe do të jetë mirësia e tij dhe sa e madhe bukuria e tij! Gruri do t'i rritë të rinjtë, dhe mushti vajzat.