Jona

Kapitull: 1 2 3 4


Kapitull 2

1 Atëherë Jona iu lut Zotit, Perëndisë të tij, nga barku i peshkut dhe tha:
2 "Në fatkeqësinë time i thirra Zotit dhe ai m'u përgjigj; nga gjiri i Sheolit i thirra dhe ti e dëgjove zërin tim.
3 Më hodhe në një vend të thellë, në zemër të deteve, rryma më mori dhe gjithë dallgët e tua dhe valët e tua më kaluan sipër.
4 Atëherë thashë: U dëbova nga prania jote. Megjithatë do të shikoj akoma në drejtim të tempullit tënd të shenjtë.
5 Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt, humnera më ka mbështjellë, algat u mblodhën rreth kokës sime.
6 Zbrita deri në themelet e maleve, toka mbylli shufrat e saj pas meje për gjithnjë, por ti e ngrite jetën time nga gropa, o Zot, Perëndia im.
7 Kur shpirti im po ligështohej brenda meje, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri te ti, në tempullin tënd të shenjtë.
8 Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e hirit të tyre.
9 Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit".
10 Atëherë Zoti i foli peshkut dhe peshku e volli Jonan në breg.