Kapitull 9
1 Unë pashë Zotin që rrinte më këmbë pranë altarit dhe tha: "Goditi kapitelet, u shkundshin portat, dhe copëtoji mbi kokat e tyre. Unë do t'i vras pastaj ata që kanë mbetur me shpatë. Asnjë nga ata
2 Edhe sikur të depërtojnë në Sheol, dora ime do t'i shkëpusë që andej; edhe sikur të ngjiten në qiell, unë do t'i tërheq poshtë që andej.
3 Edhe sikur të fshiheshin në majë të Karmelit, unë do t'i gjej dhe do t'i marr; edhe sikur t'i fshiheshin shikimit tim në fund të detit, atje do të urdhëroj gjarpërin t'i kafshojë;
4 edhe sikur të shkonin në robëri para armiqve të tyre, atje do të urdhëroj shpatën t'i vrasë. Unë do të ngul sytë e mi mbi ta për të keqen dhe jo për të mirën.
5 Zoti, Zoti i ushtrive, është ai që prek tokën dhe ajo shkrihet, dhe tërë banorët e saj mbajnë zi; ajo ngrihet e tëra si Nili dhe ulet si lumi i Egjiptit.
6 Éshtë ai që ndërton në qiejt dhomat e tij të sipërme dhe ka vënë mbi tokë themelet e kupës së tij qiellore; ai thërret ujërat e detit dhe i derdh mbi faqen e dheut; emri i tij është Zoti.
7 A nuk jeni për mua si bijtë e Etiopasve, o bij të Izraelit?", thotë Zoti. "A nuk e nxora unë Izraelin nga vendi i Egjiptit, Filistejtë nga Kaftori dhe Sirët nga Kiri?
8 Ja sytë e Zotit, Zotit, janë mbi mbretërinë mëkatare; unë do ta shfaros nga faqja e dheut, por nuk do ta shfaros krejt shtëpinë e Jakobit", thotë Zoti.
9 "Sepse ja, unë do të jap urdhrin dhe do ta shosh shtëpinë e Izraelit midis gjithë kombeve, ashtu si bëhet me shoshën, por në tokë nuk do të bjerë as kokrra më e vogël e grurit.
10 Tërë mëkatarët e popullit tim do të vdesin nga shpata, ata që thonë: "Gjëma nuk do të afrohet as ka për të arritur deri te ne"".
11 "Atë ditë do të ngre përsëri tabernakullin e Davidit që ka rënë, do të ndreq të çarat e tij dhe do të ngre rrënojat e tij, dhe do ta rindërtoj si në ditët e lashta,
12 më qëllim që të zotërojnë kusurin e Edomit dhe tërë kombet ku i bëjnë thirrje emrit tim", thotë Zoti që do ta bëjë këtë.
13 "Ja, ditët po vijnë", thotë Zoti, "kur ai që lëron do t'i afrohet atij që korr dhe ai që shtrydh rrushin atij që hedh farën; atëherë malet do të kullojnë musht, që do të rrjedhë poshtë nëpër kodra.
14 Do ta kthej nga robëria popullin tim të Izraelit, dhe ata do të rindërtojnë qytetet e shkretuara dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të pijnë verën e tyre, do të punojnë kopshtet dhe do të hanë frytet e tyre.
15 Unë do t'i mbjell në tokën e tyre dhe nuk do të çrrënjosen kurrë më nga toka që u kam dhënë atyre, thotë Zoti, Perëndia yt".