Osea

Kapitull: 1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14


Kapitull 5

1 "Dëgjoni këtë, o priftërinj, kushtojini kujdes ju të shtëpisë së Izraelit, vini veshin, o shtëpi e mbretit; sepse ky gjykim është kundër jush. Në fakt ju keni qenë një lak në Mitspah dhe një rrjetë e shtrirë mbi Tabor.
2 Ata që devijojnë kanë rënë thellë në masakër, por unë do t'i dënoj të gjithë.
3 Unë e njoh Efraimin, dhe për mua Izraeli nuk është aspak i panjohur; tani, o Efraim, ti je kurvëruar; Izraeli është ndotur.
4 Veprimet e tyre nuk u lejojnë atyre të kthehen te Perëndia i tyre, sepse fryma e kurvërimit është në mes të tyre dhe nuk njohin Zotin.
5 Por kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij; prandaj Izraeli dhe Efraimi do të bien për shkak të paudhësisë së tyre, dhe bashkë me ta do të bjerë edhe Juda.
6 Me kopetë e tyre dhe me tufat e tyre do të shkojnë në kërkim të Zotit, por nuk do ta gjejnë; ai është tërhequr prej tyre.
7 Kanë vepruar me mashtrim kundër Zotit, sepse kanë bërë fëmijë me shkelje të kurorës; tani një muaj i vetëm do t'i hajë ata dhe vendin e tyre.
8 I bini bririt në Gibeah, i bini borisë në Ramah, jepni alarmin në Beth-aven; armikun e ke prapa krahëve të tua, o Beniamin.
9 Efraimi do të shkretohet ditën e ndëshkimit; midis fiseve të Izraelit unë të bëj të ditur një gjë të sigurt.
10 Krerët e Judës janë si ata që zhvendosin kufijtë; unë do ta derdh zemërimin tim mbi ta si uji.
11 Efraimi është një shtypës dhe një shkelës i drejtësisë, sepse ka ndjekur me vendosmëri urdhrat njerëzore.
12 Prandaj unë do të jem për Efraimin si një tenjë dhe për shtëpinë e Judës si një karies.
13 Kur Efraimi pa sëmundjen e tij dhe Juda plagën e tij, Efraimi shkoi në Asiri dhe i dërgoi lajmëtarë mbretit Jareb; megjithatë ai nuk mund t'ju shërojë as t'ju mjekojë plagën.
14 Sepse unë do të jem për Efraimin si një luan dhe për shtëpinë e Judës si një luan i vogël; unë, unë vetë do ta shqyej dhe do të largohem; do të marr me vete prenë dhe askush nuk do të ma heqë.
15 Do të kthehem në vendin tim deri sa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell".