Kapitull 29
1 Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër.
2 Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.
3 Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet.
4 Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim.
5 Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.
6 Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet.
7 I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim.
8 Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin.
9 Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe.
10 Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij.
11 Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.
12 Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë.
13 I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve.
14 Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë.
15 Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.
16 Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre.
17 Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t'i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.
18 Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin.
19 Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet.
20 A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai.
21 Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij.
22 Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.
23 Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.
24 Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.
25 Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.
26 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti.
27 Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.