Kapitull 7
1 Atëherë Eliseu tha: "Dëgjoni fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: "Nesër në këtë orë, në portën e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël dhe dy masa elbi do të kushtojnë gjithashtu një sikël"".
2 Por kapiteni, në krahun e të cilit mbështetej mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë: "Ja, edhe sikur Zoti të bënte dritare në qiell, a do të ndodhte, vallë një gjë e tillë?". Eliseu u përgjigj: "Mirë, pra, ke për ta parë me sytë e tu, por nuk do t'i hash".
3 Kishte katër lebrozë në hyrje të portës, të cilët i thanë njeri tjetrit: "Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen?
4 Në rast se themi: "Le të hyjmë në qytet", atje sundon uria dhe aty kemi për të vdekur; në rast se mbetemi këtu, do të vdesim njëlloj. Prandaj ejani, të shkojmë të paraqitemi te kampi i Sirëve; po të jetë se na lënë të gjallë, do të jetojmë; po të jetë se na vrasin, do të vdesim".
5 Në muzg u ngritën për të vajtur në kampin e Sirëve; kur arritën në skajin e kampit të Sirëve, atje nuk kishte njeri.
6 Perëndia në të vërtetë kishte bërë që ushtria e Sirëve të dëgjonte një zhurmë qerresh dhe kuajsh, zhurmën e një ushtrie të madhe, dhe ata i kishin thënë njeri tjetrit: "Ja, mbreti i Izraelit ka rekrutuar kundër nesh mbretin e Hitejve dhe mbretin e Egjiptasve për të na sulmuar".
7 Prandaj ata, në muzg, ishin ngritur dhe kishin ikur duke braktisur çadrat, kuajt dhe gomarët e tyre, tërë kampin siç ishte; kishin ikur kështu për të shpëtuar kokën.
8 Kur arritën në skajin e kampit, këta lebrozë hynë në një çadër, ku hëngrën e pinë; morën me vete argjend, ar dhe rroba, dhe shkuan t'i fshehin. Pastaj u kthyen dhe hynë në një çadër tjetër; edhe andej morën shumë gjëra dhe shkuan t'i fshehin.
9 Pastaj thanë midis tyre: "Nuk veprojmë mirë kështu; kjo është ditë sihariqi, por ne nuk hapim as gojën. Në rast se presim deri në mëngjes, mund të pësojmë ndonjë ndëshkim. Prandaj tani të nxitojmë dhe të shkojmë të njoftojmë shtëpinë e mbretit".
10 Kështu shkuan dhe thirrën rojet e qytetit, jua njoftuan gjendjen duke thënë: "Kemi shkuar në kampin e Sirëve dhe ja, nuk kishte njeri dhe as nuk dëgjohej zë njeriu; aty kishte vetëm kuaj dhe gomarë të lidhur dhe çadra të paprekura".
11 Atëherë rojet thirrën dhe e çuan lajmin brenda shtëpisë së mbretit.
12 Kështu mbreti u ngrit natën dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Do t'ju them unë ç'na kanë bërë Sirët. Duke ditur që ne jemi të uritur dolën nga kampi për t'u fshehur në fushë, duke thënë: "Si të dalim
13 Një nga shërbëtorët e tij iu përgjigj: "Të lutem, lejo që disa njerëz të marrin pesë nga kuajt që akoma mbeten në qytet. Ja, ata do të jenë e shumta si shumica e Izraelit që ka mbetur në qytet, ose si shumica e Izraezlit që tashmë ka vdekur; t'i çojmë, pra, të shohin".
14 Morën, pra, dy qerre me kuajt e tyre dhe mbreti i dërgoi në gjurmët e ushtrisë së Sirëve, duke thënë: "Shkoni dhe shikoni".
15 Kështu ata shkuan prapa tyre deri në Jordan; por ja, tërë rruga ishte plot me rroba dhe me armë që sirët i kishin hedhur rrugës gjatë ikjes së tyre të nxituar. Pastaj lajmëtarët u kthyen dhe ia njoftuan gjendjen mbretit.
16 Atëherë populli doli jashtë dhe plaçkiti kampin e Sirëve; një masë maje mielli kushtonte një sikël, dhe dy masa elbi kushtonin gjithashtu një sikël, sipas fjalës së Zotit.
17 Mbreti kishte vënë si roje të portës kapitenin në krahun e të cilit mbështetej; por populli e shkeli pranë portës dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur i foli mbretit që kishte zbritur për ta takuar.
18 Ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte folur mbretit njeriu i Perëndisë, duke i thënë: "Nesër, në këtë orë, në portën e Samarisë dy masa elbi do të kushtojnë një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtojë gjithashtu një sikël".
19 Kapiteni i ishte përgjigjur pastaj njeriut të Perëndisë, duke i thënë: "Ja, edhe sikur Zoti të hapë dritare në qiell, a ka për të ndodhur një gjë e tillë?". Eliseu i kishte dhënë këtë përgjigje: "Mirë, pra, do ta shohësh me sytë e tua, por nuk do të hash".
20 I ndodhi pikërisht kjo: populli e shkeli me këmbë pranë portës dhe ai vdiq.