Kapitull 2
1 Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?". Zoti iu përgjigj: "Shko". Davidi e pyeti: "Ku të shkoj?". Zoti u përgjigj: "Në Hebron".
2 Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, Jezreeliten Ahinoam dhe Karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.
3 Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit.
4 Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin.
5 Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t'u thënë: "Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur!
6 Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t'ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë.
7 Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj".
8 Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së Saulit, mori Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe e çoi në Mahanaim;
9 dhe e bëri mbret të Galaadit, të Ashuritëve, të Jezreelit, të Efraimit, të Beniaminit dhe të tërë Izraelit.
10 Ish-Boshethi, bir i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë mbi Izrael dhe mbretërimi i tij vazhdoi dy vjet. Por shtëpia e Judës shkonte pas Davidit.
11 Koha që Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës ishte shtatë vjet e gjashtë muaj.
12 Ndërkaq Abneri, bir i Nerit, dhe shërbëtorët e Ish-Boshethit, birit të Saulit, lëvizën nga Mahanaim në drejtim të Gabaonit.
13 Edhe Joabi, biri i Tserujahut dhe shërbëtorët e Davidit lëvizën dhe i takuan pranë hauzit të Gabaonit. Kështu u ndalën njera palë nga njera anë e hauzit dhe tjetra nga ana tjetër.
14 Atëherë Abneri i tha Joabit: "Le të çohen të rinjtë dhe të dalin para nesh". Joabi u përgjigj: "Po, le të çohen".
15 Kështu u ngritën dhe dolën përpara në numër të barabartë: dymbëdhjetë për Beniaminin dhe për Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe dymbëdhjetë nga shërbëtorët e Davidit.
16 Secili kapi kundërshtarin e tij nga koka dhe i futi shpatën në ije; kështu ranë të gjithë bashkë. Ky vend u quajt për këtë arësye fusha e njerëzve të fortë; gjendet në Gabaon.
17 Po atë ditë u zhvillua një betejë shumë e ashpër në të cilën Abneri me njerëzit e Izraelit u mund nga shërbëtorët e Davidit.
18 Dhe aty ishin tre djemtë e Tserujahut: Joabi, Abishai dhe Asaheli; dhe Asaheli ishte i shpejtë si një gazelë fushe.
19 Asaheli filloi të ndiqte Abnderin pa u kthyer as djathtas, as majtas pas Abnerit.
20 Pastaj Abneri u kthye prapa dhe tha: "Je ti, Asahel?". Ai u përgjigj: "Jam unë".
21 Abneri i tha: "Kthehu djathtas ose majtas, kap një nga të rinjtë dhe merrja armët!". Por Asaheli nuk deshi të hiqte dorë nga ndjekja e tij.
22 Abneri i tha përsëri Asahelit: "Hiq dorë nga ndjekja. Pse më detyron të të shtrij për tokë? Si do të mund ta shikoj atëherë në fytyrë vëllanë tënd Joab?".
23 Por ai nuk pranoi të ndërrojë rrugë; prandaj Abneri me pjesën e prasme të shtizës e goditi në pjesën e poshtme të barkut dhe shtiza i doli nga pas; ai ra për tokë dhe vdiq në vend; dhe tërë ata që kalonin nga vendi ku Asaheli kishte rënë dhe kishte vdekur ndaleshin.
24 Por Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin; kur perëndoi dielli ata arritën në qafën e Amahut, që ndodhet përballë Giahut, në rrugën e shkretëtirës së Gabaonit.
25 Bijtë e Beniamnit u mblodhën pas duke formuar një grup të vetëm dhe u ndalën në majë të një kodre.
26 Atëherë Abneri thirri Joabin dhe tha: "Shpata, vallë duhet të gllabërojë gjithnjë? Nuk e di ti që në fund do të ketë hidhërim? Vallë, kur do ta urdhërosh popullin të mos ndjekë më vëllezërit e tij?".
27 Joabi u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Perëndia jeton, po të mos kishe folur ti, populli nuk do të kishte hequr dorë nga ndjekja e vëllezërve të tij deri në mëngjes".
28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe tërë populli u ndal, nuk e ndoqi më Izraelin dhe hoqi dorë nga luftimi.
29 Abneri dhe njerëzit e tij ecën gjithë atë natë nëpër Abrahun, kapërcyen Jordanin, kaluan tërë Bithronin dhe arritën në Mahanaim.
30 Edhe Joabi u kthye nga ndjekja e shërbëtorëve të Abnerit dhe mblodhi tërë popullin; Davidit i mungonin nëntëmbëdhjetë veta dhe Asaheli.
31 Por shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë veta të Beniaminit dhe Abnerit.
32 Pastaj çuan Asahelin dhe e varrosën në varrin e atit të tij, që ndodhet në Betlem. Pas kësaj Joabi dhe njerëzit e tij ecën tërë natën dhe arritën në Hebron në të gdhirë.