Ruthi

Kapitull: 1 2 3 4


Kapitull 4

1 Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul aty. Dhe ja, po kalonte ai që kishte të drejtën e shpengimit dhe për të cilin Boazi kishte folur. Boazi i tha: "O ti biri i filanit, afrohu dhe ulu këtu". Ai u afrua dhe u ul.
2 Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: "Uluni këtu". Ata u ulën.
3 Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek.
4 Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjegj: "Do të kërkoj të drejtën time".
5 Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, Moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij".
6 Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjegj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj".
7 Ky ishte zakoni në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit dhe të ndryshimit të pronësisë: personi hiqte sandalen dhe ja jepte tjetrit; kjo ishte mënyra e dëshmisë në Izrael.
8 Kështu ai që gëzonte të drejtën e shpengimit i tha Boazit: "Blije ti vetë", dhe hoqi sandalen.
9 Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit.
10 Gjithashtu bleva për grua Ruthi, Moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti.
11 Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem.
12 Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re".
13 Kështu Boazi e mori Ruthi, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë.
14 Atëherë gratë i thanë Naomit: "Bekuar qoftë Zoti, që sot nuk të la pa një shpëtimtar. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael!
15 Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij".
16 Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e saj.
17 Fqinjët i vunë një emër dhe thonin: "I lindi një djalë Naomit!". E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit.
18 Ja pasardhësit e Peretsit: Peretsit i lindi Hetsroni;
19 Hetsronit i lindi Rami; Ramit i lindi Aminadabi;
20 Aminadabit i lindi Nahshoni; Nahshonit i lindi Salmoni;
21 Salmonit i lindi Boazi; Boazit i lindi Obedi;
22 Obedit i lindi Isai dhe Isait i lindi Davidi.