Kapitull 9
1 Me të mësuar këto gjëra, tërë mbretërit që ndodheshin këtej Jordanit, në krahinën malore, në fushat dhe gjatë bregut të Detit të Madh në drejtim të Libanit, Hiteu, Amoreu, Kananeu, Perezeu, Hiveu dhe Jebuseu,
2 u mblodhën bashkë në besëlidhje midis tyre për të luftuar kundër Jozueut dhe Izraelit.
3 Por kur banorët e Gabaonit mësuan atë që Jozueu kishte bërë në Jeriko dhe në Ai,
4 vepruan me dinakëri dhe u nisën gjoja si ambasadorë; ata ngarkuan mbi gomarët e tyre thasë të vjetra të konsumuara dhe kacekë të vjetër të shqyer dhe të arnuar për të transportuar verën,
5 dhe mbathën sandale të vjetra dhe të grisura dhe veshën trupin me rroba të përdorura; dhe e gjithë buka e tyre ishte e fortë dhe e thërmuar.
6 U paraqitën kështu para Jozueut në kampin e Gigalit dhe i thanë atij dhe tërë njerëzve të Izraelit: "Ne kemi ardhur nga një vend i largët; prandaj bëni aleancë me ne".
7 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën kështu Hivejve: "Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?".
8 Ata i thanë Jozueut: "Ne jemi shërbëtorë të tu!". Jozueu u tha atyre: "Kush jeni dhe nga vini?".
9 Atëherë ata u përgjigjën: "Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, sepse kemi dëgjuar të flitet për të dhe për të gjitha ato që ka bërë në Egjipt,
10 ashtu edhe për të gjitha ato që u ka bërë dy mbretërve të Amorejve matanë Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtaroth.
11 Prandaj pleqtë tanë dhe të gjithë banorët e vendit tonë na thanë: Merrni nozullime me vete për udhëtimin, u dilni përpara dhe u thoni: "Ne jemi shërbëtorët tuaj; bëni, pra, aleancë me ne".
12 Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërmuar;
13 dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë".
14 Atëherë njerëzit e Izraelit morën disa nga nozullimet e tyre, por pa u konsultuar me Zotin.
15 Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.
16 Por tri ditë pas nënshkrimit të besëlidhjes mësuan se ata ishin fqinj të tyre dhe banonin në mes tyre.
17 Atëherë bijtë e Izraelit u nisën dhe ditën e tretë arritën në qytetet e tyre; qytetet e tyre ishin Gabaoni, Kefirahu, Beerothi dhe Kiriath-Jearimi.
18 Por bijtë e Izraelit nuk i vranë, sepse krerët e asamblesë u ishin betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit. Mirëpo tërë asambleja murmuriti kundër krerëve.
19 Atëherë krerët i thanë tërë asamblesë: "Ne u jemi betuar atyre në emër të Zotit, Perëndisë së Izraelit; prandaj nuk mund t'i ngasim.
20 Këtë do t'u bëjmë atyre: do t'i lëmë të gjallë që të mos tërheqim zemërimin e Zotit, për shkak të betimit që u kemi bërë atyre".
21 Krerët u thanë atyre: "Le të jetojnë, pra, por do të punojnë si druvarë dhe do të bartin ujë për gjithë asamblenë, siç u kishin thënë krerët".
22 Pastaj Jozueu i thirri dhe foli me ta, duke thënë: "Pse na gënjyet duke thënë: "Ne banojmë shumë larg nga ju, kurse ju banoni në mes nesh?"
23 Prandaj tani jeni të mallkuar, dhe do të jeni gjithnjë skllevër, druvarë o bartës të ujit për shtëpinë e Perëndisë tim".
24 Atëherë ata iu përgjigjën Jozueut dhe thanë: "Shërbëtorëve të tu u qe thënë qartë që Perëndia yt, Zoti, kishte urdhëruar shërbëtorin e tij Moisiun t'ju jepte tërë vendin dhe të shfaroste para jush tërë banorët e tij. Prandaj ne na hyri një frikë e madhe për jetën tonë nga shkaku juaj, dhe kemi vepruar në këtë mënyrë.
25 Dhe ja, tani jemi në dorën tënde; bëna atë që të duket e mirë dhe e drejtë".
26 Jozueu i trajtoi, pra, në këtë mënyrë: i liroi nga duart e bijve të Izraelit, me qëllim që këta të mos i vrisnin;
27 por po atë ditë i caktoi që të jenë druvarë dhe bartës të ujit për asamblenë dhe për altarin e Zotit, në vendin që ai do të zgjidhte deri në ditën e sotme.