Kapitull 29
1 "Kjo është ajo që do të bësh për t'i shuguruar në mënyrë që të më shërbejnë si priftërinj. Merr një dem të vogël dhe dy desh pa të meta,
2 disa bukë pa maja, ëmbëlsira pa maja të zëna me vaj dhe revani pa maja të lyer me vaj; (do t'i bësh me majë mielli të grurit).
3 Do t'i vësh në një shportë dhe do t'i çosh bashkë me demin e vogël dhe dy deshtë.
4 Do ta afrosh Aaronin dhe bijtë e tij në hyrjen e çadrës së mbledhjes dhe do t'i lash me ujë.
5 Pastaj do të marrësh rrobat dhe do ta riveshësh Aaronin me tunikën, me mantelin e efodit, me efodin dhe me pektoralin, dhe do t'i ngjeshësh brezin e punuar artistikisht të efodit.
6 Do t'i vësh mbi krye çallmën dhe mbi çallmën do të vësh diademën e shenjtë.
7 Pastaj do të marrësh vajin e vajosjes, do ta derdhësh mbi kryet e tij dhe do ta vajosësh.
8 Pastaj do t'i afrosh bijtë e tij dhe do t'u riveshësh tunikat.
9 Do t'u ngjeshësh Aaronit dhe bijve të tij brezat dhe do të vësh mbi ta mbulesa kokash; priftëria do t'iu përkasë atyre për gjithë jetën. Kështu do të shugurosh Aaronin dhe bijtë e tij.
10 Pastaj do të afrosh demin e vogël para çadrës së mbledhjes; dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël.
11 Dhe do ta therësh demin e vogël para Zotit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.
12 Do të marrësh pastaj gjakun e demit të vogël dhe do ta vësh me gishtin tënd mbi brirët e altarit, dhe gjithë mbetjen e gjakut do ta derdhësh në këmbët e altarit.
13 Do të marrësh gjithashtu gjithë dhjamin që mbulon zorrët, bulën e ngjitur me mëlçinë dhe dy veshkat me dhjamin që kanë sipër, dhe do t'i tymosësh mbi altarin.
14 Por mishin e demit të vogël, lëkurën dhe fëlliqësirat e tij do t'i djegësh me zjarr jashtë kampit: ky është një flijim për mëkatin.
15 Pastaj do të marrësh një nga deshtë dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.
16 Pastaj do ta therësh dashin, do të marrësh gjakun e tij dhe do ta spërkatësh përrreth altarit.
17 Pas kësaj do ta ndash në copa dashin, do të lash zorrët dhe këmbët e tij, dhe do t'i vësh bashkë me copat e tij dhe me kokën e tij.
18 Pastaj do ta tymosësh tërë dashin mbi altar: ky është një olokaust për Zotin; është një erë e këndshme, një flijim i bërë me anë të zjarrit për Zotin.
19 Pastaj do të marrësh dashin tjetër, dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të vënë duart e tyre mbi kokën e dashit.
20 Do ta therësh dashin, do të marrësh prej gjakut të tij dhe do ta vësh mbi bulën e veshit të djathtë të Aaronit dhe mbi bulën e veshit të djathtë të bijve të tij, mbi gishtin e madh të dorës së tyre të djathtë dhe mbi gishtin e trashë të këmbës së tyre të djathtë, dhe do ta spërkatësh gjakun rreth e qark altarit.
21 Do të marrësh pastaj nga gjaku që është mbi altar dhe nga vaji i vajosjes dhe do të spërkatësh Aaronin dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre. Kështu do të shenjtërohet ai dhe rrobat e tij, bijtë e tij dhe rrobat e tyre bashkë me të.
22 Do të marrësh edhe dhjamin e dashit, dhjamin e bishtit, dhjamin që mbulon zorrët, bulën e mëlçisë, dy veshkat dhe dhjamin që është mbi to dhe kofshën e djathtë, (sepse është një dash shenjtërimi);
23 do të marrësh edhe një bukë, një ëmbëlsirë me vaj dhe një revani nga shporta e bukës së ndorme, që është para Zotit,
24 dhe të gjitha këto gjëra do t'i vësh në duart e Aaronit dhe në duart e bijve të tij, dhe do t'i tundësh si një ofertë e bërë përpara Zotit.
25 Pastaj do t'i marrësh nga duart e tyre dhe do t'i tymosësh mbi altarin, mbi olokaustin, si një erë e këndshme përpara Zotit; është një flijim i bërë me anë të zjarrit Zotit.
26 Pas kësaj do të marrësh gjoksin e dashit të përdorur për shugurimin e Aaronit dhe do ta tundësh si një ofertë e lëvizur përpara Zotit; dhe kjo do të jetë pjesa e jote.
27 Dhe nga dashi i përdorur për shenjtërim do të ruash gjoksin e ofertës së lëvizur dhe kofshën e ofertës së ngritur, që u takojnë Aaronit dhe bijve të tij.
28 Ai do të jetë nga ana e bijve të Izraelit për Aaronin dhe bijtë e tij një rregull i përhershëm, sepse është një ofertë lartësimi. Do të jetë një ofertë lartësimi nga ana e bijve të Izraelit që është marrë nga flitë e tyre të falënderimit, oferta e tyre për lartësim te Zoti.
29 Dhe rrobat e shenjta të Aaronit do t'u kalojnë bijve të tij mbas tij, me qëllim që të vajosen dhe të shenjtërohen tek ata.
30 Ai bir që bëhet prift në vend të tij do t'i veshë ato për shtatë ditë, kur do të hyjë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbesën në vendin e shenjtë.
31 Pastaj do të marrësh dashin e shenjtërimit dhe do ta gatuash mishin e tij në një vend të shenjtë;
32 dhe Aaroni dhe bijtë e tij do të hanë, në hyrje të çadrës së mbledhjes, mishin e dashit dhe bukën që është në shportë.
33 Do të hanë gjërat që kanë shërbyer për të bërë shlyerjen për t'u shuguruar dhe shenjtëruar; por asnjë i huaj nuk do të hajë prej tyre, sepse janë gjëra të shenjta.
34 Dhe në qoftë se tepron mish i shenjtërimit ose bukë deri në mëngjes, do të djegësh atë që mbetet në zjarr; nuk do ta hahet, sepse është e shenjtë.
35 Do të bësh, pra, për Aaronin dhe për bijtë e tij të gjitha ato që të kam urdhëruar: do t'i shenjtërosh brenda shtatë ditëve.
36 Dhe çdo ditë do të ofrosh një dem të vogël, si flijim për mëkatin, për të larë fajin që ke bërë dhe do ta vajosësh për ta shenjtëruar.
37 Për shtatë ditë do të bësh shlyerjen e fajit për altarin dhe do ta shenjtërosh; altari do të jetë një vend shumë i shenjtë: çdo gjë që do të prekë altarin do të jetë e shenjtë.
38 Kjo është ajo që do të ofrosh mbi altar: dy qengja motakë çdo ditë, për gjithnjë.
39 Njërin prej qengjave do ta ofrosh në mëngjes dhe tjetrin në të ngrysur.
40 Me qengjin e parë do të ofrosh një të dhjetën e efës të majës së miellit të brumosur me një çerek hine vaji thjesht ulliri, dhe një libacion me një çerek hine verë.
41 Qengjin e dytë do ta ofrosh në të ngrysur; do ta shoqërosh me të njëjtin blatim dhe me të njëjtin libacion të mëngjesit; është një flijim parfumi të këndshëm i ofruar nëpërmjet zjarrit për Zotin.
42 Do të jetë një olokaust i përjetshëm për gjithë brezat e ardhshëm, ti ofruar në hyrje të çadrës së mbledhjes, përpara Zotit, kur unë do t'ju takoj për të folur me ty.
43 Dhe atje do të takohem me bijtë e Izraelit; dhe çadra do të shenjtërohet nga lavdia ime.
44 Kështu unë do të shenjtëroj çadrën e mbledhjes dhe altarin; do të shenjtëroj gjithashtu Aaronin dhe bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj.
45 Do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe do të jem Perëndia i tyre.
46 Dhe ata do të mësojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga vendi i Egjiptit për të banuar midis tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre".